Xhaka drejt refuzimit të Shqipërisë?

Taulant Xhaka

asport- Prej disa vitesh është folur shumë për të. Është kontaktuar me lojtarin. Është kontaktuar me babain e tij. Është pajisur me nënshtetësi shqiptare dhe më pas edhe me pasaportë. Është grumbulluar tri herë deri tani nga trajneri i ekipit përfaqësues, Xhani de Biazi, por rastësia, koincidenca apo ndonjë gjë tjetër (hamendësim), ka bërë që Taulant Xhaka të mos vishet ende kuqezi.

Vëllai i vogël i Granit Xhakës, i cili aktivizohet te Bazeli në Zvicër, ka qenë edhe këtë herë në listën e lojtarëve për tri miqësoret e Shqipërisë, por më pas ai nuk ka ardhur, me pretekstin se është i dëmtuar. Në fakt lojtari nuk ka luajtur thuajse fare këtë muaj me ekipin e tij për shkak të probleme muskulore, por përtej kësaj, në ambientin kuqezi janë frikësuar së tepërmi se ky dëmtim mund të jetë edhe një alibi. Xhaka ka marrë së fundmi sinjale nga Federata Zvicerane e Futbollit dhe duket se është joshur nga ideja për të luajtur në të njëjtën skuadër me të vëllanë, pavarësisht se deri tani është thënë dhe stërthënë nga ana e familjes Xhaka se Taulanti do luajë vetëm për Shqipërinë.

Gjithsesi, Federata shqiptare është vënë në lëvizje për të mësuar më shumë rreth hipotezave të hedhura së fundmi në ambientet sportive, teksa ka kontaktuar nga ana tjetër dy shqiptarë puro: Andrea Tato dhe Elini Dhimutso. Që të dy këta futbollistë luajnë prej vitesh në kampionatin grek të futbollit, por duke qenë se shihen shumë larg kombëtares greke, janë parë si një mundësi afrimi te Shqipëria. Duhet thënë se si Dhimutso dhe Tato kanë refuzuar të paktën një herë që të veshin fanellën e Kombëtares shqiptare, me shpresën se do luanin për Greqinë.

You must be logged in to post a comment Login