Trepça 89 e mund Prishtinën në shtëpi, Ferronikeli deklason Hysin

Superliga_212770

Asport – Kampioni aktual i Kosovës, Prishtina ka pësuar disfatën e parë këtë sezon.

Bardhekaltrit janë mposhtur nga Trepça ’89 me rezultat 1:2, në kuadër të xhiros së gjashtë të Superligës.

Pas kësaj fitoreje ‘Xehetarët’ kanë marrë kreun e tabelës me 14 pikë të tubuara, një më shumë se Prishtina, që tani renditet në vendin e dytë.

Prishtinasit e kanë filluar shumë mirë takimin duke dominuar në fushë. Qysh më minutën e gjashtë të takimit, Astrit Fazliu e Driton Krasniqi patën rast për të shënuar. Goditjen e të parit e ndali portieri Enis Manxholli, derisa goditja e të dyti shkoi mbi portë. Po ashtu, rast pati edhe Mentor Mazrekaj, goditja e të cilit u ndal nga portieri mitrovicas.

Derisa vendasit dominonin në fushë, Trepça ’89 kaloi në epërsi 1:0 me supergolin e realizuar nga kapiteni Shpëtim Idrizi, i cili realizoi nga gjuajtja e lirë, tre minuta pa përfunduar pjesa e parë.

Me të filluar pjesa e dytë, prishtinasit barazuan me anë të Azem Ahmetit, i cili realizoi gol nga penalltia. Në vazhdim të takimit, të dy ekipet kishin raste shënimi, por më së miri i shfrytëzuan ‘Xehetarët’, të cilët kaluan në epërsi 2:1 me golin e realizuar nga Shpëtim Idrizi, dhjetë minuta pa përfunduar takimi.

Trajneri i mitrovicasve, Gani Sejdiu tha se nuk e kishte pritur që skuadra e tij të marrë tri pikë nga kjo përballje. “Fitorja është meritë e futbollistëve, të cilët janë shumë të disiplinuar. Derbin gjithmonë e vendosin detajet dhe detajet ishin në anën tonë. Nuk e kam pritur fitoren, por mendoj se fituam me meritë”, tha ai pas ndeshjes.

Në anën tjetër, Ejup Mehmeti – Kapiti ka fajësuar futbollistët për humbjen. “Në futboll është një rregull, nëse nuk realizon shanset, atëherë ato të të kthehen. Kërkojmë falje nga publiku për zhgënjimin dhe presim që do t’iu kthehemi rezultateve pozitive”, theksoi Kapiti.

Ferronikeli – Hysi 4:2

Pas një serie negative, skuadra e Ferronikelit i është rikthyer rezultateve pozitive. Skuadra nga Drenasi, e cila po drejtohet nga trajneri i ri Ramiz Krasniqi ia ka dal që ta mposhtë mposht Hysin me rezultat 4:2.

Vendasit e kanë nisur mirë takimin duke realizuar gol në minutën e 11’të nëpërmjet Qemail Elshani. Mirëpo vetëm katër minuta më vonë mysafirët kanë barazuar me anë të Labinot Osmanit.

Edhe pse pësuan shpejtë, Ferronikeli nuk u ndalë. Ata kaluan në sërish në epërsi në minutën e 31’të me golin e Fatih Karahodës derisa vetëm tre minuta më vonë Elshani shtoi epërsinë e vendaseve në 3:1.

Edhe në pjesë e dytë vendasit ishin më të mirë derisa llapjanët u mundonin ta rrezikonin portën e vendaseve nëpërmjet kundërsulmeve. Në minutën e 81’të Mentor Zhdrella zvogëloi epërsinë në 3:2 pasi ishte i sakët nga pika e bardhë.

Por shpresat e Hysit, që të paktën ta nxjerr një barazim nga kjo përballje, ua shoi Karahoda i cili dy minuta pa përfunduar takimi shtoi epërsinë në 4:2. Me këtë fitore Feronikeli ka tubuar 6 pikë, një më shumë sesa Hysi.

Liria – Drenica 1:1

Liria dhe Drenica i kanë ndarë pikët pasi kanë luajtur baras 1:1. Pjesa e parë e kësaj përballjeje ka përfunduar pa gola 0:0, derisa në pjesën e dytë ishin mysafirët ata të cilët kaluan në epërsi me anë të Denis Bajraktarit.

Ekipin prizrenas nga humbja e ka shpëtuar Vedat Muriqi, i cili ka realizuar gol, dymbëdhjetë minuta pa përfunduar takimi. Pas këtij barazimi, Drenica ka tubuar 6 pikë, një më shumë sesa Liria.

Tabela ND GD PI

1. Trepça ’89 6 8 14

2. Prishtina 6 5 13

3. Drita 5 -4 10

4. Trepça 6 3 8

5. Vëllaznimi 5 1 8

6. Hajvalia 6 1 8

7. Drenica 6 -1 6

8. Ferronikeli 6 -3 6

9. Kosova (V) 5 -2 5

10. Hysi 6 -2 5

11. Liria 6 -2 5

12. Besa 5 -7 4

/express/

Comments

comments

You must be logged in to post a comment Login